Bizneset që mbajnë hapur dyert e tyre në kohën e koronavirusit janë më të kujdesshmet për të ruajtur shëndetin e punonjësve të tyre. Masat shtesë të rekomanduara për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19, që ka mbyllur në shtëpi të gjithë botën, zbatohen pikë së pari në bizneset, ku është i përqendruar një numër i madh punonjësish.

DurrësLajm ishte sot në ambientet e biznesit fason Ambra sh.p.k për të parë nga afër masat e ndërmarra dhe zbatimin e rekomandimeve të autoriteteve të shëndetësisë për të ruajtur distancat e nevojshme mes personelit.

Administratori i kompanisë, Julian Bërxulli, na tha se që në ditët e para të shfaqjes së koronavirusit në vendin tonë të gjitha ambientet u dezinfektuan dhe u morën të gjitha masat për të ruajtur distancën 1.5 metra mes punonjësve, ndërkohë që të gjithë janë të pajisur me maska. Njëkohësisht në çdo repart janë vendosur dezinfektues duarsh që përdoren rregullisht nga punonjëset gjatë procesit të punës.  Bërxulli vlerëson masat drastike të marra nga qeveria si shumë të domosdoshme për të kaluar këtë pandemi me sa më pak të sëmurë dhe humbje në jetë njerëzore.

Ndërsa një pjesë e bizneseve që lejohet të qëndrojnë hapur ankohen për mungesë personeli, pasi tremben të paraqiten në punë, Bërxulli thekson se nga rreth 430 punonjës, vetëm 32 prej tyre nuk janë paraqitur.

“Ne kemi rreth 430 punonjës. Këto ditë vetëm 32 prej tyre nuk janë paraqitur. Disa janë në moshë dhe tremben nga rreziku që mund t’u vijë nga infektimi me Covid-19, ndërsa disa të tjera kanë fëmijët e vegjël dhe normalisht qëndrojnë në shtëpi pasi kopshtet dhe shkollat janë të mbyllura”,- thotë Bërxulli.

Prej vitesh, kompania e tij bashkëpunon me disa nga firmat më të njohura të modës si Max Mara, Pinco, Belstaff etj. Fatmirësisht në këtë periudhë nuk ka pasur asnjë anulim porosish nga klientët, megjithëse nuk e përjashton faktin se nga kjo periudhë çdo biznes do të regjistrojë humbje.

“Humbje normalisht do të ketë. Por mund të them që janë mëse normale në këto ditë që po jetojmë. Këto ditë nuk duhet të diskutohet në këtë mënyrë. Këto ditë duhet vetëm të mbijetojmë, të mbijetojë i gjithë biznesi. Kjo situatë është e përkohshme dhe do të kalojë patjetër. Humbjet që do të kemi duhet të menaxhohen me kujdes që t’i hapim rrugë të nesërmes, që të mos falimentojmë”,– thotë Bërxulli.

Biznesmeni durrsak nënvizon se nga kjo periudhë e pazakontë të gjithë duhet të nxjerrim mësime.

“Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen. Duhet të jemi më korrektë me gjithçka na rrethon. Duhet të kuptojmë që jeta sjell të papritura, prandaj të mendojmë edhe për ditët që sjellin pasoja negative”,- thotë sipërmarrësi Bërxulli.  

M.B.