Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro shprehet se ende nuk ka një datë se kur aksi Elbasan- Tiranë do të zhbllokohet nga masivët e mëdhenj shkëmbor që bllokuan autostradën ditën e djeshme.

Në një prononcim për median, fill pas inspektimit në terren, Qendro tha që trafiku do të rregullohet në një sens të rrugës përmes një bypass-i. Drejtori i ARRSH ka shtuar gjithashtu se tashmë kanë nisur hetimet dhe pas daljes së konkluzioneve do të dalin edhe përgjegjësitë e firmës që ka ndërtuar segmentin në fjalë.

“Ende nuk ka një datë se kur do të jetë e hapur plotësisht. Rruga do të hapet, pasi të jemi të sigurt që jeta e qytetarëve nuk rrezikohet. Nuk jam në dijeni për rrëshqitje të tjera, rruga është marrë në dorëzim nëntorin e vitit të kaluar. Përsa i përket përgjegjësive të firmës do të dalin pas analizës së plotë.

Pasi të dalë studimi gjeologjik dhe analizat do të flasim për shkaqet dhe masat. Është shumë shpejt për të arritur në konkluzione dhe për të folur për përgjegjësitë’, deklaroi ai.