20 subjekte që ushtrojnë veprimtarinë sezonale të sporteve të ujit që shërbejnë kryesisht për argëtimin e turistëve në plazhin e Durrësit janë hedhur në protestë. Shak kështë bërë një urdhër verbal i policisë kufitare, ku iu thuhet të mos dalë në det asnjë motor uji, në të kundërt do të gjobiten e mjetet do t’iu bllokohen.

Me dokumente në duar, ku janë subjekte të licencuara nga bashkia e Durrësit kundrejt plotësimit të një sërë kriteresh të vendosura me VKM, dhe me lejet përkatëse të miratuara nga policia kufitare e Durrësit, pronarët e mjeteve lunduese pohojnë se prej gati 2 javësh nuk lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Të grumbulluar në një prej stacioneve të plazhit të Durrësit, pronarë të motorëve të ujit, të skafeve turistike, parashutave të ujit, mjete këto që shërbejnë për argëtimin e pushuesve, pohojnë se kanë investuar miliona lekë në blerjen e këtyre mjeteve, kanë paguar taksa e tatime sipas ligjit, kanë sigururar punëtorët dhe dëmi që iu shkaktohet është shumë i madh në pikun e sezonit veror. Ata kërkojnë që policia kufitare t’i lejojë të ushtrojnë veprimtarinë sipas licencës që kanë.

Subjektet e licencuara kanë ngritur vendbanimet për mjetet ujore, sipas VKM-së në vijën bregdetare Durrës – Shkëmbi i Kavajës – Golem. Secili prej tyre ka investuar nga 20 deri në 100 mijë Euro për blerjen e mjeteve ujore për argëtim. Në plazhin e Durrësit në të gjitha vitet e fundit nuk është shënuar asnjë incident në det, nga motorët e ujit apo mjetet e tjera  lundruese.

K.H.