Policia Bashkiake vazhdon me punën e saj të pandërprerë, për t’i dhënë Durrësit dhe qytetarëve të tij, hapësirat e dedikuara për ta, por që me kalimin e viteve ishin zaptuar nga objekte e tregtarë të ndryshëm.

Këtë të mërkurë, efektivët e Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Rrugëve dhe atë të Pastrim-Gjelbërimit, e përqendruan aksionin e tyre në lagjen nr. 2, te Pusi i Top-Hanës, që ndodhet prapa godinës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.

Shkak ishin bërë ankesat e banorëve të zonës, të cilët pasi njoftuan Policinë Bashkiake, kjo e fundit dërgoi menjëherë në terren mjetet dhe efektivët për të bërë të mundur lirimin e rrugës.

Disa subjekte dhe banorë të zonës, kishin zënë hapësirat publike me hekura, zinxhirë dhe platforma betoni, duke kufizuar në këtë mënyrë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Burime zyrtare nga ky institucion, bënë me dije për “DurrësLajm” se ky aksion do të përqendrohet në brendësi të lagjeve në të gjithë qytetin.

Për të gjithë qytetarët e Durrësit, tashmë Policia Bashkiake është më pranë tyre për zgjidhjen e problemeve të shumëllojshme. Prej fundit të muajit shtator, është ngritur dhe një sallë operative në godinën e re të Policisë Bashkiake (pranë  asaj të Hekurudhës Shqiptare), ku çdo person mund të telefonojë dhe të parashtrojë problematikat që i shqetëson dhe do të marrë zgjidhje nga Policia Bashkiake.

S.L.