Studentja Ana Azizaj, e cila është marrë në pyetje nga policia në lidhje me parullën e shkruar në murin e banesës së ambasadorit të OSBE në Tiranë, Bernd Boschardt, është lënë e lirë.

Azizaj u shoqërua mbrëmjen e së martës në Komisariatin nr.1 ku është pyetur për rrethanat e ngjarjes së ndodhur më 11 maj pas deklaratës së ambasadorit ku dënoi dhunën në tubim e opozitës.

Mësohet se studentja ka pohuar se ka qenë së bashku me një grup të rinjsh në hyrjen e pallatit ku banon ambasadori por mbishkrimi në mur "Borchardt turp të të vijë", nuk është bërë prej saj.

Pas marrjes në pyetje, ajo u la e lirë ndërsa në pamjet filmike të siguruara nga policia janë identifikuar edhe personat e tjerë që ishin të pranishëm.