Të moshuarit në Durrës janë disiplinuar përsa i përket të dalurit jashtë banesave siç bënin dikur kur nuk rrezikoheshim nga koronavirusi.

Portali “DurrësLajm” ka qenë në disa pika ku ata grumbulloheshin dhe kalonin kohën me njëri- tjetrin, siç është zona e lulishtes para godinës së Postës Shqiptare Durrës.

Xhirimet janë bërë gjatë paradites, kohë kur lejohet dalja nëse pajisesh me leje në E-Albania dhe siç shihet asnjë prej tyre nuk qëndron më aty. Kjo jo vetëm sepse u është bërë thirrje të qëndrojnë brenda, por masat e ashpra ndëshkuese me gjoba nuk kursejnë askënd.

Një numër shumë i vogël pensionistësh qarkullojnë në rrugë, dhe vetëm për të bërë blerje të domosdoshme. Ata të moshuar që janë të vetmuar dalin në rrugë, për të bërë blerjet, pazarin, apo për të marrë pensionet dhe ilaçet.

Prej ditësh shqiptarët qëndrojnë brenda shtëpive, për të shmangur infektimin nga koronavirusi, i cili deri tani ka prekur 333 persona , dhe kanë humbur jetën 18 të tjerë. 

K.H.