Bujar Leskaj është rikthyer në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe ka firmosur sot për të hequr dorë nga delegimi i kompetencave, tek zëvendëskryetarja e KLSH-së, Lindita Lati Milo.

Leskaj thekson se do të qëndrojë në këtë post deri në zevendësimin e tij, për të garantuar vijueshmërinë e punës.

Në vendimin e firmosur nga Leskaj shihet se vetë Milo është tërhequr nga ushtrimi i kompetencave të kryetarit për arsye personale.

Vendimi

Pas kërkesës për tërheqje nga kompetencat e deleguara të zv. Kryetares, znj. Lindita Milo për arsye personale, dt. 21.05.2019, nr. 347, dhe garantimit te vijueshmërisë normale të punës;

Në kushtet e zgjatjes në kohë të nominimit dhe përzgjedhjes së Kryetarit të ri të KLSH-së, sipas përcaktimeve të Ligjit 154/2014.

VENDOSA:

Shfuqizimin e kompetencave të deleguara me vendimin e Kryetarit nr. 244, datë 12.12.2018 zv/Kryetarit të KLSH-së znj. Lindita Lati (Milo).

Ky vendim do i përcillet Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të opozitës.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.