Floresha Rasha është gruaja që do të kthehet së bashku me 3 fëmijët e saj nga kampi Al-Hol i Sirisë. Ajo ndodhet në karrocë me rrota dhe nuk dihet në ç’rrethana ajo ka përfunduar kështu. Ajo është e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës , i cili në Shqipëri punonte si shpërndarës picash, por kur shkoi në Siri, u njoh me emrin “Ebu Amar”.

Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë ku ishte imam Genci Balla. Ai shkoi të luftonte për ISIS më 16 janar 2013 dhe me vete mori edhe familjen. Ai u nis nga Tirana për në Stamboll dhe më pas përfundoi si ushtar i Shtetit Islamik. Në vitin 2014 ai u ekzekutua me snajper duke lënë rrugëve gruan me 3 fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, po xhihadistët e bllokuan bashkë me fëmijët.

Në vitin 2015, Shaban Rasha, babai i viktimës dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor në ngarkim të imamëve dhe besimtarëve të akuzuar për rekrutim të personave për vepra terroriste. Shabani u shpreh krenar për djalin e tij dhe faktin se kishte rënë në luftë.

“Diamant Rashën e kam djalë. Ai ka ndërruar jetë. Di që është vrarë. Ka qenë në fronin e luftës në Siri kundër Bashar Al Asadit, kriminelit të historisë. Në dijeni për vrasjen e djalit tim më ka vënë krushku. Babai i nuses së djalit më tha që Diamanti është vrarë. Elhamdulila, i thashë, të gjithë do vdesim një ditë.

Ata ishin vënë në dijeni. Djali im ka qenë nga ata burrat e rrallë. Ai gjithë veprimet e tij, gjithë dijeninë e kishte për Allahun. Edhe kur i thosha unë ndonjë gjë tjetër, më thoshte ‘stop’. Ai ishte i ndershëm, burrë i vendosur dhe që nuk mund të gënjehej apo mashtrohej prej askujt. Atë që kërkoi Allahu ia dha. Pas largimit të tij në Siri kemi komunikuar rregullisht me të.

Të dhëna se ku ishte, ai nuk na jepte. Ai thoshte ‘jemi mirë dhe qofshi mirë’. Kaq. Djali im ka qenë te forcat komando në Shqipëri kur ka bërë shërbimin ushtarak. Djali më tha ‘babë, a je trim, më lër të shkoj’. I thashë ‘je i lirë’. Ai mori atë që kërkonte.

Në shtëpinë time kanë ardhur rreth 4 mijë veta nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria jo për të më ngushëlluar, por për të më uruar, për atë që i ndodhi djalit tim. Diamanti nuk ka shkuar për të marrë pjesë në ndonjë organizatë të caktuar. Jam shumë krenar. Kam rritur një trim, që ka rënë shehid dhe jo një frikacak,”– tha ai para gjyqit.