Në qytetin e Durrësit janë disa pallate që janë shembur dhe të tjerë që presin të shemben, pasi rezultojnë me dëmtime të rënda, të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Për këto pallet Instituti i Ndërtimit ka vendosur për demolimin e tyre, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë edhe pallate të tjerë që do t’i shtohen listës, sepse në bashki kanë mbërritur vetëm 50 akt-ekspertiza të thelluara, nga 260 akt-ekspertiza të dërguara nga pushteti vendor.

Tre ditë më parë, DurrësLajm publikoi një shkrim “Pyetja 1 milion dollarëshe që duhet të bëjnë banorët e Durrësit”, ku ngrihej shqetësimi se çfarë do të ndodhë me tokat e pallateve që do të rrafshohen.

Ky shqetësim dukej se preokuponte edhe këshilltarët bashkiakë, pasi një prej tyre e ngriti si pyetje në mbledhjen e KB-së dhe kërkoi sqarime nga bashkia e Durrësit.

Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri, në përgjigjen e tij i vuri rëndësi faktit se “për pallatet që janë shembur dhe do të shemben në Durrës, bashkia i është drejtuar me një shkresë Ministrisë së Rindërtimit, që pallatet të ngrihen po aty ku kanë gjurmën”.

Pra gjithçka mbetet në dorë të Ministrisë së Rindërtimit, që do të vendosë për fatin e strehimit të banorëve të mbetur pa shtëpi prej shembjes së pallatit.

“Në varësi të përgjigjes së Ministrisë së Rindërtimit, do të vijojmë me hapat e mëtejshëm. Jemi besimplotë që do të ndërtohen po aty, por edhe në rast se nuk do të ndërtohen aty bëhet fjalë për një procedurë që do të bëhet e ditur në të ardhmen”,- tha Tahiri.

Në Durrës janë disa pallate që janë shembur, ndërkohë që të enjten e ardhshme pritet të shembet me shpërthim të kontrolluar pallati 6 katësh në qendër të qytetit bregdetar.

M.B.