Incidenti më i rëndë deri më tani në Durrës u regjistrua në një qendër votimi në njësinë administrative të Katundit të ri.

Shtetasi Ramiz Bakanaçi, 53 vjeç, hyri me armë në qendrën e votimit nr.1521, kërcënoi komisionerët dhe mori kutinë e votimit dhe hodhi materialet zgjedhore.

Kreu i komisionit të qendrës së votimit nr.1521, Naim Sallaku tregon për DurrësLajm gjithë dinamikën e ngjarjes.

Sipas Sallakut, “personi që u arrestua më pas nga policia hyri në qendrën e votimit në gjendje të dehur, por më pas u largua. Herën e dytë kur është rikthyer ai kishte me vete edhe një armë me të cilën na kërcënoi dhe mori kutinë dhe materialet zgjedhore. Ne ndërpremë procesin, por policia ndërhyri shpejt dhe e arrestoi”.

Pas arrestimit të Bakanaçit dhe sjelljes së materialeve të reja zgjedhore nga KQZ ka rinisur procesi i votimit, i cili ka vijuar normalisht.