Ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për “kundërshtim të policisë” dhe “tubime të paligjshme” pas përplasjes që ndodhi tek “Astiri”.

Duke folur nga Prokuroria e Tiranës ku shkoi të paraqitej për t’u njohur me akuzat, Balliu u shpreh se në gjyq po i çon Kryeministri Rama dhe jo ligji, pasi ndaj tyre nuk ka prova.

Balliu ka paralajmëruar se mbrëmjen e sotme Partia Demokratike do të publikojë prova dhe dokumente, që sipas tij, do të tregojnë zaptuesit e vërtetë të tokave në Shqipëri.

"Sipas këtyre që këta i quajnë zbatues, hajdutë pronash. Sot në darkë do të shihni se kush janë hajdutët e pronave në Shqipëri. Sot do t'i shikoni…do t'jua tregoj unë", tha Balliu.

Nga prokuroria e Tiranës, avokati i tij, Genc Gjokutaj tha se për Balliun nuk do ketë dënim, pasi nuk ka prova.

"Nuk ka prova dhe nuk ka për të pasur dënim, e sigurt.  Dërgimi në gjyq bëhet kur është faza finale tek Astiri. Po caktojnë data gjyqesh. Kjo është një formë presioni. Nuk mund të marrësh të pandehur një grup të tërë, kur ata janë në të drejtën e tyre. Kjo përplasje e policisë ka qenë e evitueshme. Ky merak do të shuhet shumë shpejt", u shpreh Gjokutaj.