Qytetarët e Durrësit, por edhe biznesi që operon në bulevardin “Dyrrah”, nuk janë aspak dakord me punimet që po zhvillohen në bulevardin kryesor të qytetit, të nisura pak ditë më parë. Jo vetëm se është sezoni turistik dhe bllokimi sjell mjaft dëm ekonomik dhe bllokim trafiku, por shtrimi me kalldrëm është kthyer në një torturë për të gjithë përdoruesit, si automjetet ashtu edhe këmbësorët. Bulevardi i Durrësit po rikonstruktohet, duke shpenzuar kështu 222 milionë lekë. Bashkia e Durrësit ka rilëvruar një tjetër fond për rikonstruksionin e këtij bulevardi, në të cilin është ndërhyrë katër herë në harkun e shtatë viteve të fundit.

Kjo është pamja që po i shoqëron për të shtatin vit radhazi qytetarët e Durrësit dhe turistët e shumtë. Pas shpenzimit të më shumë se 146 milionë lekëve për tri herë rresht për rikualifikim, Bashkia e këtij qyteti ka lëvruar një tjetër fond prej 76 milionë lekësh për këtë bulevard.

Shkak i përsëritjes së punimeve duket se është bërë cilësia e punimeve dhe materialeve të përdorura.

Inxhinierët kanë vendosur që edhe këtë radhë, rruga e makinave të shtrohet me kalldrëm, por kjo e bën sa të vështirë aq edhe të papërshtateshme për qarkullimin e automjeteve.

Të njëjtin problem inxhinierët hasën edhe me bulevardin “Epidamn”, por në fund iu dha zgjidhje duke e shtruar me beton e asfalt rrugën e makinave.

Qytetarët i konsiderojnë papërgjegjshmëri investimet e herë pas hershme në këtë bulevard.

Sipas tyre, punimet po kryhen në një kohë të papërshtatshme, gjatë orëve të paradites dhe në kulmin e sezonit.

Vetëm pak ditë më parë, kryetari i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferaj, denoncoi në një konferencë për shtyp abuzimet me rikonstruksionin e bulevardit kryesor të qytetit. Po ashtu dhe figura të tjera të PD-së së Durrësit kanë denoncuar në rrjetet e tyre sociale këtë problematikë.

Ndjekim prononcimet e qytetarëve.