Kanë dalë para gjykatës së Durrësit çifti i bashkëpunëtorëve Astrit Thaçi dhe Adela Berisha, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Prokurori ka kërkuar arrest me burg për të dy, ndërsa tha në seancë se të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ndaj Thaçit rëndojnë veprat penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, ndërsa ndaj partneres së tij vepra penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë nga veprimet proaktive të kryera, dyshohet se Adela Berisha, 20 vjeçe, banuese në Tiranë e ka përkrahur shtetasin Astrit Thaçi, duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e Policisë.

Arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit “Trajektorja”, ku 27-vjeçari, me precedent penal, rezulton i dënuar më parë 7 vite në Itali, për vjedhje me armë.

Policia ka dokumentuar me prova shkencore 8 raste vjedhje me dhunë e armë, nga këto 3 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.

Si rezultat i një pune intensive të mirëorganizuar dhe me prova shkencore u arrit që të dokumentohej veprimtaria  kriminale në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, kryer nga ky shtetas në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, konkretisht:

RASTET E VJEDHJEVE:

Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë, ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh.

-Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë. 

 -Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.

Po ky shtetas, më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike.

-Me datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market. 

 -Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.

 -Më datë 15.02.2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.

Në Elbasan, më datë 15.02.2020, në lagjen “Ali Pasha”, Elbasan, nën  kërcënimin e pistoletës ka vjedhur në një argjendari, një sasi bizhuterish.

Ne momentin e kapjes, Thaçit iu gjetën dhe sekuestruan sendet e mëposhtme:

-17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.