Një familje nga Durrësi prej gjashtë anëtarësh, dy prindërit dhe katër fëmijët e mitur, kanë shpëtuar për mrekulli këtë të premte, pasi makina tip “Volvo” me të cilën ata po udhëtonin, u përplas me trenin e linjës Durrës-Elbasan.

Ata kanë shpëtuar me disa lëndime të lehta, ndërkohë që rasti i tyre mund të përfundonte me përmasa tragjike për shkak se janë shtyrë nga treni përreth 100 metra.

“Më datë 17.08.2018, rreth orës 09:10, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, treni i udhëtarëve i linjës Durrës -Elbasan është përplasur me një mjet tip Volvo me targa angleze me drejtues shtetasin B. C. rreth 40 vjeç, banues në Durrës, i cili në mjet ka qenë me bashkëshorten dhe katër fëmijët.

Shtetasit e mësipërm ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën”, informoi policia e Durrësit në njoftimin e saj paraprak.

Ndërkohë, “DurrësLajm” ka qenë në vendngjarje nga ku sjell pamjet e aksidentit, si dhe në ambientet e spitalit ku ndodhen të shtruar anëtarët e familjes Cenalia.

(Foto: nëna me 4 fëmijët)

Familja përbëhet nga:

Prindërit: Bardhyl Cenalia 40 vjeç, Lucia Cenalia (nëna me shtetësi të huaj) 38 vjeçe

Fëmijët: E.C. 4 vjeçe; D.C. 5 vjeç; L.C. 8 vjeç dhe O.C. 2 vjeç.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.