Të hënën (nesër) pritet të nisë procesi mësimor në qarkun e Durrësit pas një ndërprerjeje gati 2 javore që nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ende nuk dihet me siguri të plotë se cilat janë shkollat në qytetin e Durrësit dhe njësitë administrative që nuk do të hapin dyert ditën e nesërme për shkak të dëmeve të pësuara nga lëkundjet sizmike.

Vetëm shkolla “Neim Babameto” është deklaruar deri më tani që do shembet dhe do ndërtohet nga e para, ndërkohë që për institucionet e tjera arsimore të ciklit parashkollor, 9-vjeçar dhe të mesëm, publike dhe private, nuk ka pasur asnjë komunikim nga drejtoria arsimore apo Shtabi i Emergjencës.

DurrësLajm komunikoi sot me drejtoreshën e Zyrës Arsimore Vendore Durrës, Erjeta Alhysa për të mësuar se cilat shkolla nuk do të hapin dyert për nxënësit dhe në cilat shkolla pritëse do të zhvillohet procesi mësimor.

“Procesi mesimor do filloj. Shkollat e demtuara do e vijojne mesimin ne shkolla pritese. Shkollat qe kane nevoje per transport i eshte siguruar”.

Ishte kjo përgjigja e drejtoreshës së ZAV Durrës, e cila pavarësisht insistimit tonë për të mësuar emrat e shkollave që nuk janë gati apo ato pritëse nuk denjoi të përgjigjej.

Ndërsa situata e përgjithshme në Durrës është ende mjaft traumatike, për shkak të frikës së njerëzve nga lëkundjet sizmike dhe faktit se qindra shtëpi janë shpallur të pabanueshme, prindërit kërkojnë garanci nga shteti për t’i çuar fëmijët e tyre në shkolla.

Gjatë këtyre ditëve kemi dëgjuar vetëm deklarata qetësuese nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë, por ndërkohë për asnjë moment nuk kanë bërë të ditur emrat e shkollave të dëmtuara, mënyrën sesi do të kryhet transporti i nxënësve, oraret e mësimit tek shkollat pritëse që do ta zhvillojnë procesin me dy turne etj.

Nga informacionet që DurrësLajm ka përveç shkollës “Neim Babameto”, nesër nuk do të nisin mësimin edhe gjimnazistët e shkollës profesionale “Hysen Çela”, të cilëve vetëm u është komunikuar nga mësuesit se nuk duhet të paraqiten të hënën në shkollë, por pa u dhënë shpjegime më të hollësishme. 

Ndryshe nga sistemi parauniversitar, UAMD njoftoi në një komunikim zyrtar për mediat se pas akt konstatimit të ekspertëve të Institutit të Ndërtimit për të treja godinat universitare, u vendos që mësimi të fillojë më 9 dhjetor, pasi ndërtesat nuk kanë pësuar dëme dhe janë të sigurta për të mirëpritur stafin dhe studentët.