Moti i Marsit vazhdon të surprizojë. Përveç shiut i cili ka qenë prezent gati çdo ditë të këtij muaji, fundjava ka rezervuar temperatura rekord deri ne 25 gradë Celsius, por që janë shoqëruar nga era e fortë.

Era e tërbuar shkaktoi një viktimë në qytetin e Vlorës, ku një kalimtar humbi jetën pasi i ra një vetratë xhami nga një pallat.

Ndërkohë dëme të shumta janë shkaktuar në Durrës dhe qytete të tjera të vendit, për shkak të erës së fortë. Në Durrës degë pemësh ranë në aksin hyrës të qytetit, ndërsa një pjesë e shëtitores Taulantia u prish për shkak të dallgëve të fuqishme.

Në Lezhë era dhe deti i trazuar shkulën pishat përgjatë bregdetit, ndërsa në Vlorë një palmë ra mbi një mjet, duke shkaktuar fatmirësisht vetëm dëme materiale.

E ndërsa kjo javë po mbyllet me mot të keq, sinoptikanët parashikojnë që reshjet të vazhdojnë edhe javën e ardhshme. Ulja e theksuar e temperaturave përgjatë 21 dhe 25 Marsit, pritet të rikthejë reshjet e dëborës në të gjithë zonat malore të vendit.