Javën e kaluar, katër laboratorët privatë që ofrojnë analizën PCR (ose siç njihet më thjesht testin e tamponit) për diagnostifikimin e Covid-19 njoftuan publikisht arritjen e një marrëveshje për uljen e çmimit nga 12 mijë lekë në 8500 lekë.

Përmes një deklarate të përbashkët kompanitë Intermedica, Genius, Spitali Amerikan dhe Noval Diagnostic, sqaruan se ky vendim është marrë për shkak të shtimit të rasteve pozitive me koronavirus, por edhe si kërkesë e vazhdueshme e Ministrisë së Shëndetesisë.

Në fakt, marrëveshja që u shpall si një ndihmë për publikun dhe pacientët, në pamje të parë duket shkelje e pastër e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Neni 4 i ligjit, në pikën a, përcakton se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.”

Shqipëria është një ekonomi ku normat dhe parimet e konkurrencës njihen aq pak, sa jo vetëm që ndërmarrjet nënshkruajnë marrëveshje të ndaluara, por edhe i shpallin ato publikisht duke u krenuar, se kanë ulur çmimet me marrëveshje mes tyre.

Testi PCR ofrohet nga një numër i kufizuar subjektesh dhe çmimet kanë qenë të fiksuara edhe para marrëveshjes së javës së kaluar. Fakti që çmimet u ulën me marrëveshje, me rreth 30%, tregon se ato mund të kenë qenë qëllimisht të fiksuara në nivele më të larta që në fillim dhe krijon dyshime të forta se në këtë treg kemi pasur sjellje të bashkërenduar që në fillim, në shkelje të ligjit të Konkurrencës.

Nga vlerësimet krahasuese, Shqipëria ka çmime të testit PCR më të larta se vendet e rajonit, madje edhe pas marrëveshjes për uljen e tyre. Nëse sot kryerja e tamponit në laboratoret private kushton rreth 70 euro, në vendet fqinje përgjithësisht ky testim kryhet kundrejt çmimeve në intervalin midis 40 dhe 60 euro. Përtej krahasimit, duket se shumë ndërmarrje shqiptare nuk e kuptojnë që në një treg të lirë, çmimet nuk mund të vendosen me marrëveshje.

Deri tani, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka reaguar publikisht për këtë çështje. Revista Monitor ka dërguar një kërkesë për informacion dhe do të përcjellë publikisht qëndrimin e Autoritetit të Konkurrencës, sapo të ketë një përgjigje.

Muajin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës gjobiti 24 kompani të tregtimit me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore, për rritje të bashkërenduar të çmimeve të maskave, dorezave dhe dezinfektantëve. Vlera totale e gjobave ishte 34 milionë lekë, ose rreth 280 mijë euro. /MONITOR