Drejtori i shkollës 9-vjeçare në fshatin Karkanjoz në Berat ka gjetur vdekjen nga Covid-19.

58-vjeçari Gëzim Shkoza, pasi kishte shfaqur shenja të prekjes nga virusi ishte shtruar fillimisht në  repartin Covid-19 në spitalin rajonal të Beratit. Pas përkeqësimit të shëndetit të tij një javë më parë, ai u dërgua për mjekim më të specializuar në spitalin Covid “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Mësohet se tre ditët e fundit Shkoza ishte në intubim dhe megjithë përpjekjet e mjekëve nuk arriti ta mposhtë dot sëmundjen dhe vdiq mëngjesin e sotëm. Gëzim Shkoza, babai i tre fëmijëve, jetonte në Karkanjoz ku edhe ushtroi prej më shumë se 30 vitesh profesionin e mësuesit, ndërkohë që 5 vitet e fundit ishte emëruar drejtor i shkollës 9-vjeçare të fshatit.