Gazetari i njohur sportiv Bujar Qesja ka shkruar një status prekës për ndarjen nga jeta të inxhinierit durrsak Ilir Hoxha, i cili humbi betejën me Covid-19. 68-vjeçari ishte nje nga 4 viktimat e 24 orëve të fundit në vend.

Qesja shkruan se vetëm pak ditë më parë ishte takuar me Ilirin dhe nuk e mendonte se 68-vjecari qe njoftoi Ministria e Shendetesise ne komunikaten ditore ishte pikerisht miku i tij i mire.

“E jap këtë njoftim me shumë dhimbje, me shumë tronditje. Gati për ditë takoheshim dhe shkëmbenim mendime për shëndetin.

– Jam mirë më thoje.

Dhe tani vajtojmë dhe ndërkohë nuk harrojmë të gjallit tënd.

Ngushëllime familjes, gruas dhe dy djemve!

Dheu i lehtë vëlla!”,- shkruan nder te tjera Qesja ne postimin e tij ne rrjete sociale.

Postimi i plote i gazetarit Bujar Qesja:

Befasitë nuk kanë të sosura, veçanërisht në këto ditë të pamenduara se si do të rrjedhin. Është në këmbë Covid 19, që mund të përkthehet në tmerr 19 apo 2020.

Në vëndin ku njoftohen të larguarit nga jeta, pashë një fytyrë të njohur. Është Ilir Hoxha, djali i profesorit të famshëm Mithat Hoxha, shoku i ngushtë i fëmijërisë time.

E takova para pak ditësh dhe e pyeta kur është ndarë nga jeta Mithat Hoxha, pasi doja të shkruaja për këtë figurë madhore të arsimit dhe sportit. Dhe sot dhimbja m’u përshtat si një kostum i zi, pasi nuk të kam më shoku im i ngushtë, në kohën kur shoqëria ishte më i ëmbël se mjalti.

Ilir vëlla! Nuk e mendoja se 68-vjeçari nga Durrësi, që komunikata zyrtare do ta njoftonte si humbje jete, do të ishe ti, i urti dhe i miri shok që kam patur.

E jap këtë njoftim me shumë dhimbje, me shumë tronditje. Gati për ditë takoheshim dhe shkëmbenim mendime për shëndetin.

– Jam mirë më thoje.

Dhe tani vajtojmë dhe ndërkohë nuk harrojmë të gjallit tënd.

Ngushëllime familjes, gruas dhe dy djemve!

Dheu i lehtë vëlla!

Me shumë dhimbje dhe trishtim

Shoku yt i hershëm

Bujar Qesja