Covid-19/ Kryeinxhinieri i NSHK Durrës: Kemi dezinfektuar 105 mijë m2 sipërfaqe (VIDEO)

02/06/2020 - 18:33

Një ditë më parë, zbulimi i një rasti të dyshuar me Covid-19 bëri që në institucionin e Kadastrës të paraqiteshin që herët në mëngjes punonjësit e Ndërrmarrjes së Shërbimit Komunal që kryen dezinfektimin e ambienteve të jashtme dhe të brendshme të institucionit. Ky dezinfektim është bërë rutinë për punonjësit e NSHK-së, pasi përgjatë pandemisë kanë qenë 24 orë në krye të detyrës për zbatimin e të gjitha protokolleve shëndetësore për institucionet, shkollat, kopshtet e çerdhet, hapësirat publike dhe tregjet e qytetit.

“Gjatë të gjithë kësaj periudhe janë dezinfektuar rreth 105 mijë m2 sipërfaqe”.-  thotë kryeinxhinieri i NSHK, Kledi Disha. 

Sipas tij, të tre sektorët e ndërrmarrjes, ai i pastrimit, gjelbërimit dhe dezinfektimit kanë qenë në punë non stop duke iu përgjigjur pikë për pikë të gjitha protokolleve dhe direktivave të ardhura nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid-19.

Megjithëse prej javësh tashmë masat kufizuese janë hequr gradualisht, dezinfektimet vazhdojnë në bazë të një grafiku javor, e përqendruar sidomos tek shkollat e mesme apo kopshtet dhe çerdhet e hapura një ditë më parë. Që nga shfaqja e pandemisë Covid-19 në qytetin tonë, por edhe më herët, pastrimi i qytetit ka qenë një nga pikat e nxehta dhe shpesh i kritikuar nga qytetarët. Kryeinxhinieri Disha e pranon që ky shqetësim ngrihet shpesh nga qytetarët, por sipas tij tërmeti dhe koronavirusi kanë qenë shkaktarë që problematika të thellohej.

“Shpeshherë, sapo kamionët tanë tërhiqnin mbeturinat, qytetarët hidhnin në vende të ndryshme mbetjet inerte që nxirrnin nga banesat e tyre të dëmtuara nga tërmeti duke ndikuar në ndotjen e ambientit. Gjatë ditëve të para të pandemisë, menaxhimi i mbetjeve urbane ishte i vështirë, kjo dhe për shkak të sasisë së madhe të ushqimeve të blera nga qytetarët, meqë do të izoloheshin në shtëpi. Nga ana tjetër, depozitimi i mbetjeve të ndryshme nga subjekte private në vendgrumbullime të improvizuara, krijon ndotje ambienti në zona të ndryshme të qytetit. Falë bashkëpunimit me Policinë Bashkiake është bërë e mundur marrja e masave administrative ndaj këtyre shkelësve”,- thotë Disha.

Por ndërsa pandemia Covid-19 po shfaqet në një formë më pak agresive, Durrësi po bën përgatitjet e fundit për sezonin turistik. Rritja e temperaturave shton numrin e insekteve dhe për këtë arsye prej thuajse një muaji po bëhet rregullisht dezinfektimi kundër mushkonjave në të gjitha zonat e gjelbërta të qytetit.

Përballja në vijën e parë të luftës kundër pandemisë Covid-19 ka qenë një nga momentet më të vështira të punës së punonjësve të NSHK Durrës. Kryeinxhinieri Disha thotë se  në ato ditë karantine, punonjësit e ndërrmarrjes së tij ishin ndër të vetmit në terren, kur të gjithë mbylleshin në shtëpi.

“Atëherë kur të gjithë ishin mbyllur brenda për shkak të karantinimit e izolimit prej koronavirusit, punonjësit e NSHK ishin nëpër rrugët e qytetit duke bërë dezinfektimet e nevojshme. Frika ekzistonte edhe mes tyre, sepse kishin familjen, njerëzit e afërt, por asnjëherë nuk e ndalën punën. Ne si ndërrmarrje i patëm pajisur me masa mbrojtëse, për t’u garantuar shëndetin, pasi ishin gjatë të gjithë kohës në terren”, - thotë Disha.

Tani kur situatat e vështira të krijuara prej pandemisë po mbeten pas, prioritet në punën e NSHK-së mbetet pastrimi i qytetit, sidomos tani kur në Durrës pritet të mbërrijnë turistët e parë. Kryeinxhinieri Disha u bën apel qytetarëve që të tregohen më të kujdesshëm në hedhjen e mbeturinave, pasi të gjithë bashkë mund të kontribuojmë për një Durrës më të pastër.

M.B.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Beton, mungesë gjelbërimi, derdhje e ujërave të zeza në det dhe papastërti përgjatë bregut të detit.

Është rihapur procesi i aplikimit për qytetarët e Durrësit, banesat e të cilëve janë të dëmtuar nga tërmeti, por që në muajin shkurt e pa

Gazetari i njohur sportiv Bujar Qesja ka shkruar një status prekës për ndarjen nga jeta të inxhinierit durrsak Ilir Hoxha, i cili humbi b

Të mërkurën, qeveria shqiptare miratoi shumën prej rreth 2.1 miliardë lekë që do të shkojë për grantet e rikonstruksionit të banesave me

Ka nisur dhënia e granteve për rikonstruksionin dhe riparimin e banesave individuale në Bashkinë Durrës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nën

Mungesa e ndriçimit publik në rrugët e qytetit të Durrësit është kthyer në nxitës të ngacmimeve seksuale dhe grabitjeve.

4 viktima dhe 93 raste të reja. Ky është bilanci i 24 orëve të fundit nga COVID-19 në Shqipëri.

  • Interpol Tirana, Interpol Roma dhe Interpol Parisi finalizuan dy operacione ekstradimi. Ekstradohet nga Italia një 39-vjeçar

Moti gjatë ditës së shtunë, 11 korrik, parashikohet të jetë i kthjellët në pjesën e parë të ditës, ndërkohë që në pjesën e dytë të saj, d