Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka njoftuar se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar masa shtesë për frenimin e përhapjes së Covid-19 duke parë edhe shtimin e rasteve gjatë ditëve të fundit.

Rakacolli deklaroi se Komiteti ka propozuar që universitetet, të paktën për një muaj të zhvillojmë mësimin vetëm online, në distancë, ndërsa bëri me dije se po vlerësohet edhe mbyllja e pjesshme e aktiviteteve të lokaleve, bareve në zonën e Bllokut në Tiranë si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

“Pas analizës së situatës, në mbledhje komiteti teknik ka vendosur të propozojmë universitetet të zhvillojnë mësim vetëm online, në distancë për të paktën 1 muaj. Konvitet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë. Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjate orëve të natës”, tha Rakacolli.

Rakacolli ka thënë se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve të cilat përkojnë me hapjen e shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.

“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne tirane. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendeshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli, ndërsa ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.

“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për vendosjen maskës së detyrueshme në të gjithë ambientët është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.