Me shtimin e rasteve të të infektuarve nga COVID-19 në vendin tonë, Policia e Shtetit ka shtuar masat në pika ku ende vijojnë të grumbullohen njerëz.

Kështu, në pikën e Postës Shqiptare në Durrës vihen re forca të shtuara policiore në kuadër të zbatimit të masave kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit, të shpallura nga qeveria.

Duke respektuar distancën, qytetarët presin në radhë për të marrë shërbimin e nevojshëm para se koha e tyre e lejes të mbarojë dhe të hyjë në fuqi shtetrrethimi i orës 13:00. 

Por të moshuarit në Durrës vazhdojnë të jenë të pabindur ndaj rregullave të qeverisë shqiptare.

Ndonëse nuk lejohen të dalin nga shtëpia, siç duken edhe në pamjet që DurrësLajm paraqet ata edhe këtë mëngjes janë në radhë në shkallët e pikës postare për të tërhequr pensionin apo për të bërë pagesën e faturave.