Kaotike vazhdon situata në qytetin e Durrësit, ku me dhjetëra banorë nuk dinë ende fatin e banesave të tyre. Një pjese të madhe të pallateve në qytet iu janë vendosur shiritat ndalues, që për momentin nuk lejohen banorët të futen brenda për të marrë sendet e tyre personale, ndërsa priten ekspertiza të tjera në vazhdim nëse këto pallate do të shpallen të pabanueshëm apo do të rikonstruktohen.

Banorët e pallatit të kuq të Hazir Gashit, te lagjja nr.12 pranë tregut industrial, kanë pasur debate të forta mëngjesin e kësaj të mërkure me uniformat blu, pas tentatitave të tyre për t’u futur në pallat e për të marrë rrobat.

Këtij pallati i janë vendosur shiritat e kuq dhe banorët e kanë të ndaluar të futen brenda, ndërsa fati i godinës nuk dihet ende se si do të shkojë në vazhdimësi. Pavarësisht urdhrit të policisë për të mos lejuar hyrjen brenda, banorët janë futur duke vendosur edhe veten e tyre në rrezik. Kjo ka sjellë përplasje me policinë, e cila ka kërkuar shërbim të përforcuar dhe në vendngjarje kanë mbërritur një numër i madh efektivësh.

Nga ana tjetër, ka një sërë banorësh që ankohen në redaksinë e “DurrësLajm”, që ende asnjë grup inspektimi nuk ka shkuar në banesat e tyre për inspektim.

Nga banorët e zonës së Shkëmbit të Kavajës, mbërrijnë këto ankesa: “Pershendetje ,dita e 8 sot e askush ,asnje grup inspektimi nuk ka ardhur te  shohe pallatin cdo dite kemi shkuar ne komune ,cdo dite leme nr e telefonit dhe perfundimi asgje,asnje shenje e gjurme te ardhjes se tyre”, ankohen banorët.

“Ne Durres lagja 18, pallati 989, shiritin ja kan ven qe diten e termetit por skan ardh me”, të tjera ankesa mbërrijnë nga lagjja nr.18, një nga zonat më të prekura së bashku me ish-Kënetën

Ndërkohë, deri më sot janë shembur mbi 10 godina e lista pritet të ndryshohet me kalimin e ditëve, se cilat banesa do t'i shtohen numrit të objekteve të vlerësuara për t'u shembur.