Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në vendin tonë ka reaguar pas skandalit të publikuar mbrëmjen e kaluar në emisionin “Stop” ku një mësues muzike ngacmonte seksualisht nxënësen e tij në shkollën “Jakov Xoxa”, Fier.

Të shqetësuar nga kjo ngjarje, CRCA thotë se shkollat tona nga mjedise mësimi, po kthehen në streha të pedofilëve dhe grabitqarëve seksualë ndërsa i drejton tre pyetje ministres së arsimit, Besa Shahinit.

REAGIMI I PLOTË

CRCA/ECPAT Shqipëri, po ndjek me shumë shqetësim raportimin që emisioni investigativ STOP i Televizionit KLAN, bëri mbi dhunën seksuale të një profesori në një shkollë të mesme të qytetit të Fierit. Përgjatë emisionit të gjitha mënyrat me të cilat mësuesi i lëndës së muzikës, kërkon të ngacmojë dhe dhunojë seksualisht një vajzë të mitur në shkollën “Jakov Xoxa”.

CRCA/ECPAT Shqipëri, vëren me shqetësim dhe indinjatë se ky nuk është as rasti i parë, por as rasti i fundit, në të cilin mediat dhe emisionet investigative arrijnë të regjistrojnë me zë dhe figurë praninë e dhunës seksuale në shkollat tona, duke treguar sa se të pambrojtur janë fëmijët dhe nxënësit në mjediset shkollore nga grabitqarët seksualë.

Të shumta kanë qënë rastet e denoncimeve të fëmijëve të dhunës seksuale të mësuesve në institucionet arsimore publike. Jo më larg se 10 ditë më parë, Gjykata e Durrësit dha vendimin me burgim për 7 adoleshentët e arrestuar për përdhunimin e të miturës në ambientet e një
shkolle në Kavajë.

Në nëntor të vitit 2019, u dha vendimi i dënimit për mësuesin që dhunoi seksualisht nxënësen 11 vjeçare në shkollën e fshatit Kalasë të Delvinës. Në korrik të vitit 2019, Gjykata e Gjirokastërs, sërish me një tjetër çështje mbi dhunën seksuale të një mësuesi ndaj nxënëses së tij. Në korrik të 2019, një tjetër rast i rëndë i dhunës seksuale ndaj një vajze të mitur në mjediset e shkollës në Arapaj të Durrësit, ndërsa në Tepelenë, një mësues 63 vjeçar u akuzua për ngacmime seksuale në shkollë.
Të gjitha këto raste të ndodhura brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore, fatkeqësisht tregojnë se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe në veçanti drejtuesja e saj, ende nuk e kanë kuptuar jo vetëm shkallën e lartë, por edhe përhapjen e fenomenit të dhunës seksuale në institucionet e arsimit publik në vend! Shkollat tona nga mjedise mësimi, po kthehen në streha të pedofilëve dhe grabitqarëve seksualë!

Nisur nga rasti më i fundit, CRCA/ECPAT Shqipëri, i kërkon Ministres së Arsimit, Besa Shahini, t’i jap pargjigje publike ketyre pyetjeve:

1. Ndonëse renditen në një vit kaq shumë raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në brendësi të mjediseve arsimore publike, cilat janë masat dhe zgjidhjet që ka ndërmarrë vetë ministrja e Arsimit në lidhje me mbrojtjen e tyre?

2. Çfarë mekanizmash të rinj ka krijuar Ministrja aktuale e Arsimit, për të raportuar çdo rast të dyshuar apo të vërtetuar të dhunës dhe ngacmimeve seksuale ndaj fëmijëve?

3. Çfarë masash ka propozuar ministrja Shahini për të eleminuar nga trupat pedagogjike të gjithë ata mësues që tentojnë apo edhe kryejnë krime seksuale ndaj nxënësve e fëmijëve?

CRCA/ECPAT Shqipëri, bazuar në këtë ngjarje të rëndë që duket se përsëritet, do të kërkojë urgjentisht një interpelancë të Ministres së Arsimit Shahini, në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, për të dhënë llogari përpara deputetëve, shoqërisë civile, prindërve, mësuesve dhe fëmijëve mbi situatën se si është e mundur që grabitqarët seksualë tashmë po ulen këmbëkryq në shkollat publike shqiptare.