Zona e plazhit në Durrës nuk ka më problem me furnizimin me ujë të pijshëm. E gjithë zona është duke u furnizuar nga puset e zonës së Çermës në Lushnjë për 6 orë në ditë. Garancia është dhënë nga kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili tha se qyteti i Durrësit do të vijojë problematikën edhe këtë verë, deri sa të përfundojë ujësjellësi i ri.

“Qytetarët duhet ta kursejnë ujin, sepse Durrësi është përmirësuar me kalimin e sasisë së ujit të zonës së plazhit në qytet. Megjithatë, vitin e ardhshëm, në Durrës do të kemi 3 herë më shumë ujë në qytet.

Në depot tona vitin tjetër do të ketë tre herë më shumë ujë, dhe në fillim të 2019-s pritet të bëhet kolaudimi i këtij projekti për të qenë në funksion të plotë vitin e ardhshëm turistik”.

Banka Botërore ka investuar rreth 80 milionë euro për projektin e ri të ujësjellësit në Durrës, projekt i cili pritet të zgjidhë problematikën e madhe që shoqëron çdo vit në sezonin veror qytetarët e Durrësit.

Aktualisht Durrësi po furnizohet me ujë sipas një grafiku të përcaktuar nga dispeçeria e Ujësjellësit, por në rast defektesh që kanë qenë të shumta për shkak të amortizimit të rrjetit të ujësjellësit, qytetarët mbeten minimalisht 24 orë pa ujë të pijshëm. Uji që furnizon qytetin e Durrësit vjen nga burimet e Fushë Kuqes, 45 km larg, duke bërë që tubacioni që sjell ujin jo rrallë herë të çahet nga fermerët të cilët vadisin fushat, e në Durrës nuk ka ujë.

K.H.