Pak orë më parë, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka postuar në profilin e tij në Facebook një video promovuese për turizmin në qytetin bregdetar dhe vendet e sitet arkeologjike që nuk duhen lënë pa vizituar për të kaluar pushime të paharrueshme.

Megjithëse ka veç pak orë,  ai është një nga portimet me më shumë like dhe share nga ndjekësit e kryebashkiakut.

Ndërsa shumë e kanë falenderuar për këtë video promovuese, që ngre lart vlerat e Durrësit turistik e historik, disa prej komentuesve i sugjerojnë Dakos që administrata bashkiake të përgatisë edhe një version në anglisht e italisht, apo t’i vendosin titrat materialit të publikuar.

Kjo do t’i shërbente edhe më tepër promovimit të qytetit të Durrësit tek vizitorët e huaj potencialë, që duan të vizitojnë dhe njohin nga afër qytetin mijëravjeçar.

Për më tepër që duket se dhe strategjia e viteve të ardhshme të administratës Dako në drejtim të turizmit është sjellja e sa më shumë turistëve nga vendet europiane e më gjerë për të pushuar pranë vijës bregdetare të Durrësit.

M.P.