Nga 1 shkurti i 2020-ës, Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit Europian, por do të hyjë në një fazë tranzitore, e cila do të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Por çfarë do të ndodhë me shqiptarët që jetojnë apo janë në proces migrimi drejt këtij shteti? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Naim Hasani, avokat në Gjykatën Supreme në Britani shpjegon për të gjithë të interesuarit se çfarë do të ndodhë pas BREXIT.

Ai shton se të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian që kanë mbërritur dhe mbërrijnë në Britani para dhe gjatë periudhës tranzitore, e cila është parashikuar të mbarojë më 31 dhjetor 2020, do të gëzojnë të njëjtat të drejta për sa i përket lëvizjes së lirë nga BE drejt Britanisë. Të njëjtën të drejtë do të gëzojnë edhe shtetasit britanikë, të cilët do të duan të shkojnë në BE.

Sipas avokatit, pavarësisht daljes zyrtare nga BE, Britania do të jetë pjesë e bashkimit doganor të BE dhe tregut të përbashkët Europian dhe do të jetë e detyruar të zbatojë Rregullat e BE e do të jete akoma subjekt i ligjit European dhe juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Ndërkohë ende nuk është bërë asnjë informacion publik lidhur me procedurat dhe rregullat e reja që do të vendosen në Britaninë e Madhe pas përfundimit të periudhës tranzitore në fund të këtij viti. Hasani bën me dije se kjo periudhë tranzitore është për të lejuar kohën dhe kushtet e nevojshme për bizneset dhe qeverinë për t’u ambientuar dhe përqafuar ndryshimet e ardhshme që do të negociohen me BE.

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian është zyrtarizuar ligjërisht. Çfarë do të ndryshojë pas BREXIT, a do të vijojnë bashkëpunimet dhe marrëveshjet tregtare me vendet anëtarë të BE?

Ligji për daljen zyrtare të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, i njohur gjerësisht si BREXIT, tashmë ka kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit nga parlamenti dhe është votuar, duke marrë bekimin zyrtar të Mbretëreshës Elizabeta e II-të, më datën 24 janar 2020 dhe është kthyer në ligj. Tani nuk ka asnjë mëdyshje për daljen e Britanisë nga BE me datën 31 janar 2020. Fokusi do të jetë në fazën tjetër të negocimit dhe arritjes së një marrëveshjeje të tregtisë dhe bashkëpunimit në të gjitha aspektet me bllokun më të madh tregtar dhe ekonomik në botë. Data 31 janar 2020 ora 23:00 GMT do të shënojë momentin historik (për mirë apo për keq, në varësi të votës pro apo kundra në referendum), të shkëputjes përfundimtare nga blloku në të cilin Britania e Madhe ka aderuar për më se 40 vjet.

Çfarë do të ndodhë me të gjithë shqiptarët që ndodhen aktualisht në Britani? Cilat do të jenë dispozitat ligjore që do të aplikohen nga 1 shkurti i 2020-ës?

Ajo që të gjithë shqiptarët pavarësisht ku ndodhen, do të duan të dinë, sidomos qytetarët e Bashkimit Europian që janë në Britani dhe familjarët e tyre nga vendet e treta, por edhe ata që duan të vijnë këtu pas asaj date është se në çfarë pozite ligjore do ta gjejnë veten në mëngjesin e datës 1 shkurt 2020. Më në fund pas një periudhe të gjatë konfuzioni tashmë konfirmimi zyrtar nga qeveria e z. Boris Johnson në përputhje me marrëveshjen e largimit të negociuar me BE është se do të hyjë në fuqi menjëherë periudha tranzitore gjatë së cilës Mbretëria e Bashkuar do të respektojë të gjitha ligjet e Bashkimit Europian, pavarësisht faktit që nuk do të jetë më anëtare me të drejta të plota e BE.

Si e interpretoni periudhën tranzitore që pritet të hyjë në fuqi pas largimit të Britanisë nga BE?

Kjo periudhë tranzitore është për të lejuar kohën dhe kushtet e nevojshme për bizneset dhe qeverinë për t’u ambientuar dhe përqafuar ndryshimet e ardhshme që do të negociohen me BE. Marrëveshja tranzitore ishte e nevojshme, sepse Bashkimi Europian nuk negocion marrëveshje tregtie pas Brexit-it me Britaninë, pa qenë më parë jo anëtare e saj.

Kur përfundon periudha tranzitore dhe a do të kenë po të njëjtat të drejta emigrantët shqiptarë që jetojnë apo do të zhvendosen në Britani?

Dua të sqaroj opinionin publik dhe qytetarët e Bashkimit Europian me origjinë shqiptare dhe familjarët e tyre se të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian që kanë mbërritur dhe mbërrijnë në Britani para dhe gjatë periudhës tranzitore e cila është parashikuar të mbarojë më 31 dhjetor 2020, do të gëzojnë të njëjtat të drejta për sa i përket lëvizjes së lirë nga BE drejt Britanisë. Të njëjtën të drejtë do të gëzojnë edhe shtetasit britanikë, të cilët do të duan të shkojnë në BE. Britania do të jetë pjesë e bashkimit doganor të BE dhe tregut të përbashkët Europian dhe do të jetë e detyruar të zbatojë Rregullat e BE. Po ashtu, Britania do të jetë akoma subjekt i ligjit Europian dhe juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Gjatë periudhës tranzitore, a do të gëzojnë të njëjtat të drejta familjarët jo qytetarë të BE, por që janë pjesë e familjes së një qytetari shqiptar që disponon një pasaportë të një shteti të BE?

Dua të sqaroj që gjatë periudhës tranzitore, ndryshimi nga pozicioni aktual i qytetarëve Europiane në Britani dhe i qytetarëve Britanikë në BE do të jetë I pandryshueshëm përsa I përket të gjitha të drejtave që ata kanë gëzuar deri tani, përfshirë edhe familjarët e tyre jo-qytetare të BE.

A mund të shtyhet periudha tranzitore?

Kjo periudhë tranzitore për momentin është e sanksionuar të mbarojë në orën 23:00 GMT të datës 31 dhjetor 2020. Periudha tranzitore mund të shtyhet vetëm një herë për një afat deri dy vjet. Kjo vetëm në qoftë se Britania dhe BE vendosin të bëjnë një gjë të tillë para datës 1 korrik 2020. Gjithsesi kjo duhet të shihet me shumë skepticizëm, sepse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë dëshirë të shtyjë periudhën tranzitore.

Çfarë do të ndodhë pas periudhës tranzitore?

Për momentin nuk mund të japim asnjë këshillë se çfarë të drejtash do të kenë qytetarët e Bashkimit Europian në Britani pas skadimit të periudhës tranzitore. Kjo mbetet të shihet nga ajo çfarë do të negociohet nga data 1 shkurt 2020 deri në 31 dhjetor 2020. Ajo që do të theksoja nga ana ligjore është se bazuar në dispozitat e marrëveshjes së largimit (tani në fuqi), të drejtat e qytetarëve do të vazhdojnë të mbrohen edhe në qoftë se një marrëveshja nuk është arritur deri në fund të dhjetorit 2020. /GSH