Jo shumë i ekspozuar, i veshur mirë, i sistemuar në shtëpi të marra me qira në periferi për një ose dy ditë, tamam koha për të zhvilluar aktivitetin e tij të paligjshëm dhe më pas për t’u zhdukur sërish.

I tillë është profili i Dario Myftiut, alias Aurel Hoxha, sipas medieve italiane.

Po sipas tyre. 38 vjeçari i arrestuar sot në Durrës është një nga personat më të kërkuar në Itali dhe për të fshehur gjurmët përdorte identitete të ndryshme.

Në vitin 2008, hetuesit italianë zbuluan se apartamentin ku ai banonte në vendin fqinjë, e kishte kthyer në një rafineri droge. Atje u gjetën plot 30 kg heroinë, që asokohe vlerësohej 1 milionë e 500 mijë euro.

Ndërsa në një tjetër rast, ai ishte duke mbledhur xhiron e drogës së bërë në Padova dhe Veneto.

Apartamenti ku ai strehohej i ishte lëshuar me qira një sudenti. Në apartament, agjentët e policisë gjetën 161.500 euro, të ndara në pako e të numëruara.

Sipas policisë italiane, Myftiu kishte mbërritur në Padova për të mbledhur për llogari të mafias paratë nga shitja e drogës. Në këtë rast, mafia shqiptare bashkëpunonte me Ngrangheta-n italiane për të kontrolluar transportimin dhe shitjen e lëndës narkotike.

Policia italiane kishte marrë vesh përmes një informatori, se Myftiu do të vinte ato ditë në qytet për të bërë punën e tij, mbledhjen e parave të drogës për llogari të mafias.