Një avion me 267 ushtarë amerikanë ka mbërritur në Tiranë, në kuadër të stërvitjes së pëbashkët, “Defender Europe 21” që po zhvillohet në Shqipëri prej disa javësh.

E pranishme në mbërritjen e trupave ushtarake në aeroportin e Rinasit, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha ndër të tjera se kjo stërvitje sjell edhe të ardhura ekonomike për Shqipërinë.

“Është e gëzueshme. Trupat e USA po vijnë në Shqipëri. Ky është ushtrimi më i madh amerikan në Ballkan. Është e rëndësishme, historike. Ky ushtrim sjell punësim dhe lëvizje në ekonomi. SHBA kanë shpenzuar 35 milion dollarë, nga punësimi i shoferëve, kuzhinerëve etj. Është “big deal”. Mendoj që në fund të gjithë do të kenë përjetuar mikpritjen shqiptare. Faleminderit”, tha Kim.

Shqipëria pret Defender Europe 21 si pjesë e stërvitjes ushtarake ku afërsisht 28 mijë forca shumëkombëshe nga 26 shtete do të kryejnë operacione gati të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në 12 vende.

Stërvitja është zhvilluar në Durrës apo edhe në Pashaliman të Vlorës mes marinës amerikane dhe asaj shqiptare. Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje.