Dëgjesë publike me qytetarët dhe grupet e interesit për të njohur mendimin e publikut mbi komisionet që do të ngrihen pranë Këshillit Bashkiak Durrës.

Ditën e mërkurë, në orën 11.00 do të mbahet në sallën e mbledhjes së Këshillit Bashkiak seanca e këshillimeve me bashkësinë, e cila do të ketë në rend dite:

  1. Diskutime për zgjedhjen e komisioneve të këshillit dhe miratimin e rregullores së brendshme.
  2. Diskutime të ndryshme dhe propozime nga komuniteti.

Sipas sekretarit të Këshillit Bashkiak, Armand Tragaj, dëgjesa publike bëhet në kuadër të detyrimeve ligjore në zbatim të ligjit nr.139, të vitit 2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Juristi Tragaj shpjegon për DurrësLajm se kjo dëgjesë e parë publike, që vjen pas konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak Durrës, ka për qëllim të njohë kryetaren Valbona Sako, administratën e bashkisë dhe Këshillin me pritshmëritë dhe problematikat e qytetarëve, grupeve të interesit apo Organizatave Jo Fitimprurëse.

Gjatë mbledhjes pritet të mblidhet mendimi i publikut dhe më pas do të jetë Këshilli Bashkiak që këto opinione dhe propozime do t’i konvertojë në komisione në një moment të dytë.

Pranë Këshillit Bashkiak të mandatit të kaluar kanë funksionuar 11 komisione të ngritura që në fillim të mandatit të tretë të ish-kryetarit Dako dhe një komision tjetër është ngritur më vonë, pasi doli si domosdoshmëri e ngritur nga grupet e interesit.

“Për të evituar ngritjen e komisioneve në gjysmën të mandatit, po zhvillojmë këtë dëgjesë publike në mënyrë që çdo çështje e nxehtë apo emergjencë e banorëve të Durrësit të adresohet pranë komisioneve të ngritura për këtë qëllim”,-tha Tragaj.

Njoftimi i publikuar në faqen e bashkisë:

Në zbatim të nenit 18 paragrafi i parë dhe nenit 60 të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ju njoftoj se ditën e Mërkurë,  datë 11.09.2019, ora11:00, në ambientet e sallës së mbledhjes të Këshillit Bashkiak Durrës zhvillohet  Seancat e këshillimeve me bashkësinë me këtë rend dite:

Diskutime për zgjedhjen e komisioneve të këshillit dhe miratimin e rregullores së brendshme.

Diskutime të ndryshme dhe propozime nga komuniteti.

Ju ftojmë të jeni të pranishëm në këtë mbledhje. 

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin!

SEKRETARI I KËSHILLIT

Armand Tragaj

M.B.