Publikohet për herë të parë, videoja e dy vrasësve të dyshuar që qëlluan për vdekje 64-vjeçarin Memli Begalla, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ekzekutorët, pas krimit që zgjati jo më shumë se 20 sekonda, largohen të qetë, duke mos ngjallur dyshim te fqinjët e pallatit.

Pamjet që po ndiqni të publikuara nga “ABC News”, paraqesin veprimet e dy autorëve të dyshuar për vrasjen e Memli Begallës, ndodhur më 14 shkurt në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Siç duket edhe nga pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë, viktima mbërrin në hyrje të tunelit, i cili ndodhet në rrugën “Nikolla Tupe”, pikërisht në orën 20 e 39 minuta e 10 sekonda.

Vetëm 20 sekonda me vonë, shfaqen dy vrasësit të veshur me xhupa e kapuçë të zinj, të cilët ndjekin viktimën nga pas.

Si profesionistë të vërtetë, autorët largohen të qetë pas ekzekutimit të tipit mafioz me një plumb në kokë të Memli Begallës.

Aq perfekte ishte vrasja e 64-vjeçarit, saqë edhe këta dy rinj që u gjendën rastësisht në vendin e ngjarjes nuk kuptuan që sapo kishte ndodhur një krimi, raporton “ABC News”.

Policia është vënë në ndjekje të dy autorëve që ishin fiksuar nga kamerat e sigurisë, të cilët janë me gjatësi rreth, 1.8 metra.

“ABC News” ka mësuar se ekzekutorët u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “BMW” ngjyrë e zezë. Gjithashtu është i filmuar edhe momenti i hipjes së autorëve në makinë, ndërsa grupi hetimor e ka të pamundur të identifikojë targat.

Vrasja e Memli Afrim Begalla, sipas policisë, dyshohet të jetë kryer për shkak të borxheve të  pashlyera që viktima kishte ndaj personave të tretë.

Debitë e 64-vjeçarit shkojnë deri në 90 mijë euro, pasi kishte krijuar disa kompani fantazmë, ku edhe ishte dënuar nga gjykata. Për ngjarjen e rëndë u ndaluan 10 persona, por pas marrjes në pyetje nga uniformat blu, u lanë të lirë.