Kur kanë kaluar 53 ditë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, shit-blerja e apartamenteve në Durrës është thuajse e bllokuar. Në javët e para pas tërmetit, DurrësLajm pati kontaktuar disa agjenci që operojnë në qytet de të gjitha konfirmonin se të vetmet kërkesa që merrnin ishin ato për banesa me qira.

Edhe sot, kur data shënon 17 janar 2020, situata paraqitet pak a shumë e njëjtë. Kërkesa për shitblerje banesash është thuajse inekzistente, pasi njerëzit hezitojnë ende. Marsida Guma, menaxherja e agjencisë Century 21 shprehet se tërmeti ka bërë që edhe çmimet e banesave të ndryshojnë.

“Vëmë re se pronarët e banesave që kanë shpëtuar pa dëme nga tërmeti, kanë nisur t’i mbivlerësojnë pronat e tyre. E kundërta ndodh tek apartamentet e dëmtuara, tek të cilat çmimi është i diskutueshëm”,– thotë Guma.

Gjithsesi, sipas saj, do duhet kohë për rikthimin e tregut në kërkesë-ofertën që ishte para tërmetit. Vetëm pas riparimit të dëmeve në ndërtesat e dëmtuara do mund të diskutohet për rifutjen e apartamenteve në ofertat e tregut imobiliar.

Ndërkohë, amnistia e propozuar nga qeveria Rama për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, mund të japë një impuls pozitiv për ringritjen e tregut imobiliar. Gjithsesi, në Durrës impakti mund të mos jetë ai i prituri, përsa kohë dëmet nga tërmeti janë shumë evidente në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar.

Nga një vëzhgim i thjeshtë që bëhet me sy të lirë në pallatet e dëmtuara në Durrës apo ato të zonës së plazhit, janë me dhjetëra tabelat “Shitet”, që qëndrojnë të varura në ballkonet e apartamenteve. Megjithëse pallatet janë shpallur të pabanueshme, pronarët e tyre nuk i kanë hequr ende. Nuk dihet akoma për sa kohë do të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu, pasi, pas dëmeve kolosale që la tërmeti, do të jetë “mision” i vështirë shitja e tyre.

E ndërsa tregu i shit-blerjes së paluajtshme në Durrës është në ngërç, e kundërta ndodh me dhënien e banesave me qira. Janë akoma me qindra familje në kërkim të shtëpive me qira, pasi duan një vend, ku të fusin kohën deri në riparimin e dëmeve në banesat e tyre. Sipas Gumës, lëvrimi i bonusit të qirasë po ecën me hapa shumë të ngadaltë dhe kjo ka bërë që disa qytetarë të tregohen disi më të matur për të marrë ambiente me qira.

Shifra më e fundit e bërë publike nga bashkia e Durrësit për familjet që kanë marrë subvencionimin e qirasë është 1417, ndërkohë që janë gjithsej 3863 familje, të cilave u është miratuar bonusi me vendim të Këshillit Bashkiak.  

M.B.