Qytetarë dhe simpatizantë të opozitës nga rrethet janë nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm drejt kryeqytetit, për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga opozita e cila zhvillohet në orën 11:00 para Kryeministrisë.

Nga Durrësi vihet re një numër i ulët i pjesëmarrësve, një pjesë e mirë e të cilëve të rinj e të reja, për të cilët PD-ja e qytetit bregdetar kishte organizuar vetëm dy furgonë dhe asnjë autobus, ndryshe nga protestat e mëparshme. Ndërkohë, një pjesë tjetër demokratësh janë nisur me makina private drejt Tiranës.

Dy orë para nisjes së protestës, policia ka rrethuar me një gardh perimetrin e Kryeministrisë. Po ashtu, të gjitha makinat, përfshi edhe ato të televizioneve që hyjnë në bulevard i nënshtrohen një kontrolli policor, duke mbajtur shënim edhe targën.

Në kërkesën e saj, PD njofton policinë se protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” te sheshi para Kryeministrisë, lulishtja te piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të Kryeministrisë, rrugë në të cilën mjetet lëvizin nga RTSH drejt bulevardit.

Në terren pritet të angazhohen 1600 efektivë.