Pas situatës kritike që është shkaktuar në qytetin e Durrësit për shkak se mbeturinat urbane nuk tërhiqen prej 2 ditësh, një denoncim na vjen nga zona e ish-Kënetës.

Aty situata paraqitet kaotike, pasi mbeturinat urbane, por edhe orendi shtëpiake përfundojnë në kanal duke “kontribuuar” në rritjen e shkallës së ndotjes mjedisore dhe duke u kthyer në shtëpi për brejtësit.

Një banore e zonës denoncon në redaksinë e “DurrësLajm” faktin se kanali në zonën e unazës së ish-Kënetës është plot me mbeturina. Sipas banores, përveç bizneseve që hedhin mbeturinat e tyre këtu, shpesh janë edhe punonjësit e Komunales që një pjesë të mbeturinave i tërheqin, ndërsa pjesën tjetër e hedhin në kanal.

“Ne zonen e unazes se Kenetes, pervec faktit qe te gjitha kompanite e peshkut apo ushqimore hedhin mbeturinat ketu, punetoret e bashkise qe vijne per te mbledhur mbeturinat, gjysmat e tyre i hedhin ne kanal sepse per ta eshte zgjidhje me e shpejte dhe me e lehte”,– shkruan ajo.

Po sipas banorëve, orenditë shtëpiake që qytetarët lënë pranë kazanëve, pavarësisht se është e ndaluar sepse duhen çuar në vendgrumbullimet e posaçme, shpesh përfundojnë në kanal, siç duket qartë edhe në fotot që po publikojmë. Kolltukë, goma makinash, qese me plehra, kartonë dhe ambalazhe të ndryshme “popullojnë” kanalin që është i tejmbushur nga mbetjet.

Në një kohë kur sezoni turistik ka nisur dhe Durrësi vizitohet sidomos fundjavave nga shumë turistë e pushues, situata me menaxhimin e mbetjeve që ofron qyteti bregdetar është shumë larg imazhit të një vendi turistik.