Një qytetar ka dërguar paraditen e sotme në redaksinë e “DurrësLajm” këtë foto.

Ndërsa ka dalë për të shijuar kohën e mirë dhe për të konsumuar diçka në shëtitoren “Taulantia” ai ngre shqetësimin se nuk ka ku të hedhë qesen e mbeturinave.

“Shëtitorja e re që u bë në Durrës pa asnjë kosh”,- thotë qytetari, ndërsa i duhet të mbajë me vete përgjatë gjithë kohës që shëtit buzë detit edhe qesen e mbeturinave.

Në pjesën që nuk iu nënshtrua rikonstruksionit gjenden kosha të vegjël për depozitimin e mbeturinave, ndërkohë në hapësirën ku u investuan rreth 2.8 milionë euro mungojnë.

Zgjatja e ditës dhe ardhja e pranverës do të shtojë gjithnjë e më shumë numrin e qytetarëve që frekuentojnë lungomaren e re të Durrësit, prandaj pajisja e saj me kosha mbeturinash është një domosdoshmëri, për të evituar shndërrimin e saj në fund të ditës në një vend ku hidhen vend e pa vend plehrat.