DURRES-Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks që përfshin më shumë se sa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Dhuna ndaj gruas po bëhet gjithmonë dhe më shumë problem shqetësues në shoqëri, pasi shumë burra ndihen të kërcënuar nga koncepti i lirisë së grave. Studimi i dhunës në familje vështirësohet po të kemi parasysh edhe një numër mitesh që nuk lejojnë depërtimin në thelbin e problemit.

Kështu, në komunitete dhe ambiente të ndryshme sociale ndahen mendime se “dhuna prek vetëm një shtresë apo grupe të caktuara”, “dhuna është një problem i të varfërve”, “gratë e dhunuara kanë personalitete të caktuara që e nxisin ushtrimin e dhunës nga bashkëshorti”, “gratë e dhunuara qëndrojnë në marrëdhënie të dhunshme, sepse ato e pranojnë dhunën”, “dhuna është rastësore dhe ndodh shumë rrallë” etj. Të dhënat mbi përhapjen e fenomenit të dhunës në familje vazhdojnë të jenë gjithmonë e në rritje. Kështu komisariati i policisë Durrës deklaron se ka patur 3 raste dhunimi ndaj grave gjatë fundjavës.

 

Dje me datë 16 dhjetor filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit S.Gj., 32 vjeç, banues në rrethin  Durrës, pasi dyshohet se më datë 15 dhjetor në  orën 22.00, për motive të dobëta, 32 vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, 30-vjeçare. Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “Dhunë në familje”.


Dje me datë 16 dhjetor u plotësua Kërkesë – Padia për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes së Menjëhershme për:

1-Një shtetase 47-vjeçare, banuese në Durrës, pasi ishbashkëshorti i saj, shtetasi F.Sh., 48 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike sistematikisht ndaj saj.

2-Një 34-vjeçare, banuese në Durrës, pasi ishbashkëshorti i saj, shtetasi K.L., 39 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike sistematikisht ndaj saj.

Materialet hetimore iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “Dhunë në familje”.