*Qeveria shqiptare prezanton projektet në sektorin e ujit

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Hantin Bonati ka bërë publike projektet e ujit të pijshëm dhe kanalizmeve të ujërave të ndotura që qeveria po financon në qarkun e Durrësit. Zv/ministri Bonati tha se më i rëndësishmi është projekti i madh i Durrësit, projekt që pritet të përfundojë në muajin maj të vitit të ardhshëm. Investimi po kryhet me fonde në formën e kredisë nga ana e Bankës Botërore me vlerë 31 milionë euro dhe qyteti i Durrësit do të përfitojë një sasi uji tre herë më të madhe se ajo që merr aktualisht, pra 620 litra ujë në sekondë, kaq është parashikuar në projekt se do të sjellin 7 puset që janë ndërtuar në shtratin e lumit Mat. Janë katër komponentë që po ecin paralelisht në qarkun e Durrësit për të zgjidhur furnizimin me ujë 24 orë si dhe largimin e ujërave të ndotura.

Një shumë prej 85 milionë eurosh do të jenë investime vetëm për ujin e pijshëm dhe mendohet se pas përfundimit të të gjitha investimeve, në vitin 2020 i gjithë territori do të ketë ujë 24 orë pa ndërprerje. Një komponent tjetër është investimi për rrjetin e shpërndarjes në qytet me vlerë 8 milionë euro. Në sajë të një investimi me vlerë 4 milionë euro që u akordua vitin e kaluar tek puset e Çermës në Lushnjë, është garantuar rritje e orarit të furnizimit me ujë për zonën e plazhit të Durrësit (lagjja 13) si dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Investimi në zonën e gjirit të Lalzit

Aktualisht në këtë zonë ka filluar investimi me vlerë 10 milionë euro për rrjetin e ujit të pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të ndotura së bashku me impiantin e trajtimit. Ky investim i shërben një zone me popullsi 16 220 banorë. Në muajin shtator të këtij viti nis investimi tjetër për rrjetin e ri të furnizimit me ujë për fshatrat Katund i Ri, Jubë, Erzen, Qerret, Fllakë, Sektori Rinia dhe Mamëz me vlerë rreth 5 milionë euro. Ky investim pritet të përfundojë pas 9 muajsh. Investime të ngjashme janë parashikuar edhe për furnizimin me ujë të pijshëm të Sukthit dhe fshatit Xhafzotaj.

Reforma e ujit që nisi të zbatohet nga ana e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime në gjithë vendin, ka dhënë efekte pozitive në të ardhurat e ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Durrës. Në prezantimin e projekteve nga zv/ministri Bonati është bërë e ditur  dhe performance e mirë e UKD që nga fillimi i muajit nëntor 2017 ka hapur 3400 kontrata të reja dhe ka instaluar rreth 10 mijë matës duke arkëtuar një shumë prej rreth 2 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, të cilat do të përkthehen në më shumë investime për qytetarët.