Dështon sërish seanca në Gjykatën e Apelit për Emiljano Shullazin dhe bandën e tij, pasi nuk është plotësuar ende trupa gjykuese. Seanca e radhës do të mbahet më datë 25 qershor, ndërkohë në trupën gjykuese ndaj Shullazit kanë mbetur vetëm dy anëtarë.

Rreth një muaj më parë, anëtari i bandës Gilmando Dani, kërkoi shpjegim për asryen përse është kërcënuar gjyqtarja kryesuese e çështjes Saida Dollani, por seanca kaloi me tensione dhe 4 të pandehurit së bashku me avokatët mbrojtës braktisën sallën e gjyqit.

Pas kësaj banda e Shullazit kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese, e cila ishte e përbërë nga Albana Boksi, Saida Dollanit dhe Valdete Hoxha.

Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Bashkë me të janë dënuar edhe grupi i tij, përfshirë edhe Gilmando Danin. Shullazi dhe grupi i tij u shpallën fajtorë nga Gjykata për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënin e pasurisë”, në dëm të Ylvi Beqajt.