Trageti ankorohet mes stuhisë në portin e Durrësit, zbarkon pasagjerët dhe niset sërish drejt Barit. Kushdo që ka zgjedhur të udhëtojë me traget në dy ditët e fundit, nuk e ka pasur aspak të lehtë.

Moti i keq që ka përfshirë gjirin e Durrësit, por edhe të gjithë vendin e ka bërë mjaft të vështirë lëvizjen e trageteve. Në pamjet filmike që po publikon DurrësLajm nga terminali i trageteve duket qartë era dhe deti i tërbuar, që kanë shkaktuar edhe vonesa në mbërritjen e trageteve.

Për shkak se jemi në prag të festave të fundvitit, të shumtë janë emigrantët shqiptarë që presin në portin e Barit, për t’u rikthyer në atdhe. Kapitaneria e portit të Durrësit pati njoftuar ditë më parë se në fundjavë dhe në ditët e para të javës së ardhshme, tragetet që lidhin portin më të madh në vend me portet e Italisë do të bëjnë dy udhëtime në ditë, për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve.

Për shkak të kushteve aspak të favorshme detare, një nga tragetet e linjës Bari-Durrës që duhej të mbërrinte në mëngjes në Durrës ka shtyrë lundrimin dhe është nisur drejt portit shqiptar mëngjesin e sotëm. Ndërkohë një tjetër traget ka mbërritur me vonesë prej dy orësh.

Deti regjistron forcën 8 ballë të shkallës Boufort dhe nesër situata do të vazhdojë e njëjtë, por era do të ndryshojë drejtim. Ajo do të fryjë në drejtimin veriperëndim duke sjellë dhe ulje temperaturash, ndërsa deti do të ketë forcën 7 ballë.