Të tjera detaje dalin në dritë pas atentatit që u bë sot në mes të ditës biznesmenit Tefik Hyka në kryeqytet, i cili mbeti i plagosur rëndë me një plumb në kokë dhe një plumb në gjoks. Gazetarja Klodjana Lala e ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ tha se dy autorët kishin menduar gjithçka para se të kryenin sulmin, ndërsa kishin si qëllim ta vrisnin biznesmenin, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Franca, ku jetonte prej kohësh me familjen. Sipas gazetares Lala, duke u mbështetur tek pohimet e dëshmitarëve okularë dhe telefonatave në sallën operative, policia gaboi duke raportuar se biznesmeni kishte ndërruar jetë në momentin e sulmit, ndërkohë që ai ndodhej në gjendje të rëndë.

“Në momentin e parë kur mediat u njoftuan, rasti u njoftua si vrasje. Njoftimi i parë erdhi nga dëshmitarë okularë. Por edhe nga raportimi në sallën operative. Ai i mbijetoi atentatit. Ishte një ngjarje e rëndë, ishte një atentat i mirëorganizuar. Ai u qëllua në një lokal, nën shoqërinë e një femre. Dëshmitarët okularë flasin për dy persona që kanë qenë me skafandra, që e kanë qëlluar në kokë dhe gjoks dhe janë larguar. Tefiku është personazh i njohur, biznesmen i kalibrit të lartë. Para 20 e ca vitesh është përfolur për vrasjen e një personi, i njohur si kreu i ‘Bandës së Shijakut’ ku Tefik Hyka është dyshuar që ka pasur lidhje. Por ngjarja nuk u zbulua. Pas këtyre pati disa ngjarje të tjera, nga atentatet me tritol, apo dhe kërcënimet. Ndaj, Tefik Hyka jeton në dijeninë time në Francë me familjen. Ai është kthyer pak kohë më parë për çështje personale. Autorët kanë zhfrytëzuar periudhën e ‘lodhjes’ së punonjësve të policisë, pas procesit të zgjedhjeve në vend. Atij i është vrarë një bashkëpunëtor i tij para disa kohësh”, – tha Lala.

Mes të tjerash ajo pohoi se mes personave të shoqëruar dyshohet se është dhe një nga autorët e plagosjes. “Drejtori i Policisë më ka pohuar se janë shoqëruar disa persona dhe mes tyre është edhe autori i dyshuar i krimit. Por policia është e rezervuar për këtë fakt. Ata kanë lëvizur me një motor dhe skafandër. Personi i krimit ka zbritur pak më larg zonës ku ndodhi ngjarja, atje dhe ku e kanë kapur. Por është ende herët për të dhënë detaje, pasi mund të bëhen edhe gabime”, pohoi ajo.

Po ashtu, Lala theksoi se lokali ku ndodhi ngjarja, shumë pranë stadiumit ‘Selman Stermasi’ nuk ishte i pajisur me kamera sigurie, por ka pasur një biznes tjetër përballë si dhe një bankë që gjenden aty pranë të cilat mendohet ta kenë filmuar atentatin.