Pak minuta më parë Saimir Ahmeti 24-vjeç zgjodhi të arratiset nga tualeti i gjykatës së Apelit në Gjirokastër, pak para se të hynte në gjyq, ndërkohë që “BalkanWeb” mëson detaje të tjera për akuzat e ngritura ndaj tij.

I riu Saimir Ahmeti banor i fshatit Vanë në bashkinë e Delvinës u arrestua nga policia e Delvinës për përndjekjen e vazhdueshme dhe kërcënimin e bashkëjetueses së tij, shtetases Bleona Habibi, 18 vjeç, edhe kjo banore e fshatit Vanë. Mësohet se familja e vajzës nuk ka qënë dakord me lidhjen, ndonëse kjo e fundit prej 8 muajsh jetonte në shtëpinë e Saimirit.

Familjarët e djalit thonë se nuk dinë që i biri ta ketë dhunuar e kërcënuar ndonjëherë dhe se pretendimet e ngritura nga familja e vajzës janë të padrejta. Por, ndërsa gjykata priste të ballafaqonte palët, i riu ka zgjedhur të arratiset.

Edhe më herët familjarët e të rinjve kanë replikuar jashtë sallës së gjyqit. Madje Zhaneta, nëna e vajzës i ka kërkuar Pranverës, nënës së djalit, se do të tërhiqeshin nga akuzat për djalin vetëm nëse ai do ta linte vajzën e tyre të qetë.

Për Thoma dhe Pranvera Ahmeti, babai dhe nëna e 24- vjeçarit, Saimir Ahmeti, Bleona e do djalin e tyre. Dy të rinjtë janë martuar me dashuri madje familja Ahmeti ka bërë edhe dasëm për djalin e tyre të vetëm.