Janë bërë publike fotot e tre personave të përfshirë në ngjarjen e Kavajës. Si pasojë e një konflikti për shkaqe xhelozie, përdorimi i armëve shkaktoi vdekjen e shtetasit Dritan Haxholli dhe plagosjen e Bledar Toçit.

Ngjarja ndodhi në shtëpinë e shtetases Marsida Qatjas.

Mësohet se shkak i krimit është bërë vendimi i Marsida Qatjas, e martuar (burri në burg në Gjermani) dhe nënë e 3 fëmijëve, që t’i jepte fund lidhjes me Haxhollin, gjë që nuk është pranuar nga ai.

Ky i fundit kishte shkuar në banesën e saj, ku ishin 3 meshkuj të tjerë, miku i saj me të cilin kishte një lidhje, dhe 2 shokë të tjerë, që i kishte thirrur për ndihmë, ndërsa aty kishte hapur zjarr ndaj Toçit, (polici i burgut të Durrësit mbeti i plagosur në qafë).

Në vendin e ngjarjes u sekuestruan një armë automatike model 56 me një krehër me 28 fishekë, 16 gëzhoja të kalibrit 9 mm, copa të ndryshme metalike dhe predhash, një armë zjarri e tipit Glock dhe një gëzhojë mod 56 kalibri 7.62 mm.

Pas kontrollit të bërë në banesën e shtetasit Bledar Toci në lagjen nr.2 në Kavajë, policia i gjeti vëllait të tij, shtetasit Benard Toci një sasi e dyshuar lëndë kokaine e ndarë në 7 doza me sasi afërsisht 4 gramë. Policia i arrestoi të dy.