Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu rreth orës 10:00 të së dielës në fabrikën e riciklimit të mbetjeve jo të ngurta në zonën e Kasharit në Tiranë. 

Zjarri ishte aq i fortë se retë e tymin u bënë të dukshme në të gjithë Tiranës dhe rrehtinat.

Për rreth tre orë, forcat zjarrfikëse nga Tirana dhe Vora, të ndihmuara edhe bote uji nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizime në Tiranë kanë luftuar flakët e zjarrit të shkaktuara nga plastika, çka do të thotë se ndotja e ajrit në zonë është tejet e madhe.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar 7 forca zjarrfikëse të Bashkisë së Tiranës, ndërsa prefektja Suzana Jahollari kërkoi ndihmën edhe të tre zjarrfikëseve të ushtrisë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Banorët e zonën shprehin shqetësim për situatën duke pretenduar se zjarri rrezikon banesat e tyre, përveç ndotjes që është tejet e madhe për shkak të djegies së plastikës.

Duke qenë se zjarri është tejet i madh është kërkuar ndihma e zjarrfikëseve nga Kruja dhe nga Durrësi.

Në zonë është ndërprerë edhe energjia elektrike.

Ende nuk dihen motivet e zjarrit të madh që lëshon shtëllunga të mëdha tymi në ajër.

Kjo është hera e dytë që kjo fabrikë është përfshirë nga zjarri dhe në të dyja rastet ka pasur dëme të shumta materiale.  

Njoftimi i policisë Tiranë: 

Me datë 22.04.2018, rreth orës 10:00, në Kashar,  në një magazinë ka rënë zjarr. 

Menjëher në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Zjarrëfikësja ku po punohet për fikjen e zjarrit. 

Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.