25 qershori është Dita Ndërkombëtare e Detarëve. Njerëzit e detit kanë qenë në të gjitha kohët heronjtë e heshtur, por puna e tyre, përkushtimi, sakrifica dhe angazhimi profesional ka dalë më shumë në pah gjatë këtyre muajve të pandemisë Covid-19, ku detarët ishin në vijën e parë të luftës për të garantuar transportin e mallrave, medikamenteve etj.

Kryetari i shoqatës “Adrijon”, Aleksandër Gjermeni, deklaron se Dita e Detarëve duhet t’u shërbejë qeverive për të rikthyer vëmendjen drejt njerëzve të detit.

“Dita e sotme, si ditë ndërkombëtare duhet të tërheqë vëmendjen e qeveritarëve për një trajtim më të mirë të detarëve, që sidomos në këtë periudhë ju është vështirësuar më shumë puna”,- tha detari i vjetër, Aleksandër Gjermeni për DurrësLajm.

Ndërsa kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka, theksoi se IMO u bën thirrje institucioneve që t’i konsiderojnë detarët si punëtorë kyç, sidomos gjatë këtyre muajve të fundit.

“Detarët kanë siguruar transportin e mallrave të konsumit, ushqimeve dhe medikamenteve gjatë këtyre muajve të vështirë. 90% e tregtisë botërore lëviz sot me anije”,– tha kapiteni Allka.

Detar për 45 vite me radhë, Bedin Bedini, anëtar i kryesisë së shoqatës “Adrijon”, tregon se jeta e detarëve është e mbushur me sakrifica, ku një nga më të vështirat është të qënit larg familjes. Në këto muaj pandemie, kjo largësi ka qenë edhe më e theksuar, pasi për shkak të kufizimeve apo mbylljes së kufijve, detarët shqiptarë kanë mbetur në vende të huaja, në pritje të riatdhesimeve.

“Detarët janë mësuar të qëndrojnë për muaj të tërë larg familjes, por vështirësitë e këtyre muajve të fundit kanë qenë një sfidë më vete. Ata shqetësoheshin për njerëzit e afërt që kishin lënë këtej, ndërsa disa prej tyre mbetën jashtë vendit për shkak të mbylljes së kufijve. Por vlen të theksohet se kanë punuar pa u ndalur duke garantuar transportin nga të gjitha vendet e Evropës e më gjerë”,- tha Bedini.

Kapiteni i portit të Durrësit, Taulant Allka, bën të ditur se janë rreth 3000 detarë shqiptarë, nga të cilët 1600 punojnë në flotën tregtare, ndërsa 1400 në flotën e peshkimit. Duke vlerësuar maksimalisht angazhimin e detarëve shqiptarë anekënd globit, Allka deklaron se gjatë kësaj periudhe është treguar një kujdes i shtuar për të rikthyer në shtëpi detarët e mbetur jashtë vendit, përmes disa operacionesh riatdhesimi.

Porti i Durrësit ka qenë përgjatë gjithë periudhës së karantinës dhe muajve të pandemisë në vijën e parë të luftës, duke punuar 24 orë në 24. Për rreth dy muaj, porti më i madh në vend ishte e vetmja portë detare hyrëse në vendin tonë dhe të gjitha strukturat zinxhir punuan për të garantuar transportin e mallrave të rëndësisë jetike dhe njëkohësisht për të respektuar rigorozisht protokollet e sigurisë.

M.B.