Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka kujtuar sot 10 majin, Ditën e Drejtësisë. 

Metani e cilëson këtë ditë si një moment për të reflektuar mbi rrugëtimin e shtetit shqiptar drejt drejtësisë.

Sipas tij, reforma e pesë viteve të fundit është më e dhimbshmja që drejtësia shqiptare ka kaluar.

MESAZHI I METANIT

108 vjet më parë nënshkruesit e Pavarësisë dhe etërit e krijimit të shtetit shqiptar hartuan bazën ligjore të organizimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri, atë që njihet si “Kanuni i Zhurisë”. Në shenjë respekti për aktin e tyre historik dhe normat juridike të krijuara nga ky akt, 10 Maji kujtohet e nderohet si Dita e Drejtësisë.

Gjej rastin t’i uroj gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë që lidhen me drejtësinë, Ditën e Drejtësisë, dhe t’i inkurajoj të gjithë, për më shumë motivim e me shumë angazhim në punën e tyre fisnike.

Eshtë një ditë për të reflektuar mbi udhën e gjatë që ka kaluar shteti e drejtësia shqiptare, për të ardhur në ditët dhe nivelet e sotme.

Eshtë dita për inkurajim e motivim në rrugëtimin sfidues, që sistemi i drejtësisë ka nisur 5 vite më parë, me reformën më të thellë e të dhimbshme, duhet thënë, që ka njohur ndonjëherë.

Natyrisht nuk jemi ende aty ku duhet, por kushtetuta dhe ligji sot nuk krijojnë asnjë mundësi, që institucionet në procesin e vendimmarrjes së tyre të kenë ndikim të paligjshëm, politik apo cdo lloj tjetër.

Kjo pavarësi e garantuar me ligj për cdo gjyqtar e prokuror është një fuqi e madhe për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës, ku dhënia e drejtësisë nuk konsiderohet privilegj apo rastësi, por detyrim dhe e drejtë e çdo individi.

Duke respektuar parimet e shenjta të profesionit, duke ruajtur të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, cdo gjyqtar e prokuror i bën një shërbim të madh shoqërisë dhe vendit tonë.

Të gjithëve, gëzuar Ditën e Drejtësisë!