Katër janari është dita e fundit e orës policore e vendosur gjatë festave të fundvitit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Nga nesër (5 janar), kufizimi i lëvizjes së qytetarëve do të rikthehet në orën 22:00.

“Prej datës 5 janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim”, njoftonte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 21 dhjetor 2020.

Me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve prej orës 20:30-06:00, që prej 24 dhjetorit u ndalua edhe aktiviteti i bareve, restoranteve, fast food-eve dhe lokaleve që ofronin shërbim në këtë fashë orare. Prej të martës edhe këto biznese mund t’i kthehen aktivitetit deri në orën 22:00.

Mësohet se edhe universitetet do të nisin nga 5 janari mësimin online. Ndërkohë shkollat do të hapin dyert për nxënësit më 11 janar.

Komiteti i Ekspertëve i mori masat në prag të festave për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit, për të shmangur çdo grumbullim njerëzish.