Sot ka nisur viti i ri shkollor për sezonin 2019-2020, ndërsa nxënësit e emocionuar, shoqëruar nga prindërit e tyre, i janë drejtuar institucionit të dijes ku i pret një rrugëtim i gjatë dhe jo pa lodhje.

Në Durrës, kryebashkiakja Valbona Sako, së bashku me drejtoreshën e Arsimit, Valentina Leka, zgjodhën shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”, të saporikonstruktuar, për t’iu uruar suksese nxënësve për vitin e ri shkollor.

Drejtori i shkollës Orges Mema, tha se sot ashtu siç është një ditë e veçantë për të gjithë nxënësit që fillojnë shkollën, është akoma më shumë për ata që mësojnë te “Jan Kukuzeli”, të cilët sot u mirëpritën në ambientet e reja të shkollës që i ishte nënshtruar rikonstruksionit të plotë.

Edhe kryebashkiakja Sako, uroi të gjithë nxënësit për këtë udhëtim të gjatë të dijes, që është sa i bukur aq dhe i mundimshëm.

“Një vit i mbarë për të gjitha ciklet e shkollës, në radhë të parë për klasat e para, që nisin një udhëtim sa të bukur po aq dhe të mundimshëm. Shpresoj ta realizojnë me sukses. E filluam me shkollën “Jan Kukuzeli” për shkak të veçorisë që ka si shkollë, që na krijon artistët e së ardhmes”, tha Sako.

Urimet e saj i përcolli edhe drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Durrës, Valentina Leka.

Këtë vit, në qarkun e Durrësit nisin mësimin për herë të parë 1881 nxënës në klasën e parë, ndërsa në klasën e dhjetë, në arsimin parauniversitar, do të fillojnë mësimin 1476 nxënës. Në të gjitha shkollat që mbulon Zyra Vendore e Arsimit në Durrës janë 1530 mësues gjithsej për mbarëvajtjen e procesit mësimor-edukativ.

S.L.