28 nëntori i 2020 shënon 108-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.

28 nëntori është ditë e veçantë për shqiptarët, pasi këtë datë në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike që kanë shenjuar historinë e Shqipërisë.

Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si Nëntori i dytë, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemali i cili ngriti flamurin në Vlorë.

Ndërkohë, për Shqipërinë ky është viti i dytë që ditën e pavarësisë e feston në kushte jo normale. Një vit më parë, i gjithë vendi ynë ishte në zi kombëtare gjatë kësaj periudhe për shkak të tërmetit që u mori jetën 51 qytetarëve. Ndërsa tani ndodhemi nën “kthetrat” e një pandemie globale, në përballje me koronavirusin.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve dhe masave kufizuese, qytetarët shqiptarë nuk mund të grumbullohen për të festuar, kjo për të parandaluar dhe përhapjen e mëtejshme të virusit./