Shkolla 9-vjeçare “Hasan Koçi” në Durrës zhvilloi ditën e sotme Ditën Olimpike. Eventi erdhi pas më shumë se një viti pandemie, ku ngjarje të tilla sportive dhe kulturore nuk zhvillohen ose zhvillohen me prani shumë të kufizuar për shkak të pandemisë Covid-19.

Me flakën olimpike në duar, nxënësit e kësaj shkolle, të rindërtuar nga e para pas tërmetit të nëntorit 2019, startuan një sërë aktivitetesh sportive si lojëra me dorë, lojëra popullore, shah, konkurs pikture, aerobi etj. Nxënësit e klasave nga e parë deri tek e nënta e panë veten të përfshirë në këtë event, për të dhënë gjithsekush prej tyre kontributin e vogël që klasa e tyre të përfaqësohej sa më mirë.

Drejtoresha e kësaj shkolle Hëna Alia nënvizoi faktin se Dita Olimpike organizohet pas një viti të vështirë pandemie, që nuk u mundësoi ashtu si çdo vit tjetër organizimin e Javës Olimpike. Por nga ana tjetër, mbajtja e tij sot është një sinjal pozitiv se Covid-19 që gjunjëzoi botën po largohet dhe pandemia po merr fund.

Në shenjë simbolike të lirisë që po na rikthehet pas kufizimeve të tejzgjatura u lëshuan drejt qiellit pëllumba dhe tullumbaca të bardhë.

I pranishëm në këtë event masiv ishte gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani, i cili në fjalën e tij theksoi se aktiviteti fizik është një nga mënyrat më të mira për t’i larguar fëmijët dhe adoleshentët nga kufizimet e shkaktuara prej Covid-19.

“Mesazhi i këtij aktiviteti është jo thjesht të marrim pjesë, por të luajmë dhe të argëtohemi larg veseve dhe larg rrugës”.

Së bashku me misionaren Rabushe Koçi, gazetari Methasani mundësoi pajisjen e nxënësve me bluzat me rrathët olimpikë dhe topat, duke dhënë kështu një kontribut modest në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Nxënësit nga ana tjetër ishin mjaft të kënaqur që ditën e sotme u bënë pjesë e këtij eventi, ku patën mundësi më shumë sesa çdo herë tjetër të ndërvepronin me bashkëmoshatarët dhe të argëtoheshin me njëri-tjetrin.

Shkolla “Hasan Koçi” bëhet kështu i pari institucion arsimor në bashkinë Durrës për këtë vit, që organizon një event të tillë sportiv.

M.B.