Famulltari Bernard Caruana, e ka konsideruar akt vandal, barbar dhe shumë të ulët, djegien e Kishës "Shën Dominiku" në Durrës mëngjesin e sotëm.

Famulltari thotë se ka qenë në gjumë kur policët i kanë trokitur në derë. Sipas tij, një akt i tillë nuk ka për ta penguar misionin e kësaj Kishe, e cila prej shumë vitesh iu vjen në ndihmë njerëzve në nevojë në zonën e Ish-Kënetës.

"Mbrëmë gjatë natës në orën 01:00 na erdhën zjarrfikësit dhe policët në shtëpi dhe kanë njoftuar se dikush i kishte vënë zjarrin derës kryesore të Kishës Katolike, një akt vandal, barbar dhe shumë i ulët. Ne jemi këtu prej vitesh duke shërbyer për popullin shqipar duke përhapur vlerat ungjillore dhe na vjen keq për këtë akt kaq negativ. Na ngushëllon fakti dhe do gjejmë forcën që të ecim përpara në misionin tonë shpirtëror."

Policia e Durrësit nuk ka identifikuar ende autorët e këtij akti, ndonëse hetimet kanë nisur që prej orëve të para të mëngjesit.